Aspekti Fetar

 

“Udhëtimi im fetar ka qenë një kërkim i vazhdueshëm për kuptim dhe lidhje shpirtërore. Që nga rinia kam studiuar dhe ndjekur mësime nga tradita të ndryshme fetare, duke e parë fenë si burim paqeje, dialogu dhe harmonie. Përmes këtij rrugëtimi kam gjetur jo vetëm forcë personale, por edhe ura që lidhin komunitetet dhe kulturat.”

Feja ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sime, jo vetëm si besim personal, por si udhërrëfyes shpirtëror që më ka mësuar përulësinë, mirënjohjen dhe respektin për tjetrin. Që si i ri, me shumë përkushtim kam lexuar dhe hulumtuar rregullisht për të kuptuar thelbin e fesë. Kam qenë aktiv në Forumin Islam, kam ndjekur ligjërata nga dijetarë të njohur të kohës dhe gjithmonë kam kërkuar të depërtoj më thellë në kuptimin shpirtëror të besimit.

Në fund të shkollimit tim të mesëm, nisa një kurs online për Biblën, të cilin e ndoqa intensivisht për tre vite, krahas seminareve biblike të mbajtura në Maqedoni nga profesorë amerikanë e anglezë. Kam marrë pjesë gjithashtu edhe në seminare dhe kongrese të Dëshmitarëve të Jehovait, sepse kam pasur gjithmonë kureshtjen për të kuptuar dimensione të ndryshme të besimit dhe për ta parë fenë si një pasuri universale.

Pas migrimit në Zvicër, vazhdova të ndjek të njëjtën rrugë përmes seminareve dhe vizitave të rregullta në shtëpi të ndryshme lutjesh, duke përjetuar nga afër frymën e feve të ndryshme. Kam qenë aktiv në Islamische Gemeinde Luzern, si dhe në xhaminë Drita dhe Uniteti në Luzern, ndërsa kam ndërtuar lidhje të ngushta me shumë qendra islame dhe me komunitetin mysliman shqiptar në Zvicër. Përmes kësaj rruge jo vetëm që njoha kulturat fetare, por edhe krijuesin më thellë, duke e shfrytëzuar njëkohësisht këtë hapësirë për të ndërtuar rrjete me shqiptarë dhe me vendas që shpesh ishin të margjinalizuar.

Për mua, feja nuk është kufizim, por një burim paqeje, dialogu dhe harmonie, një mënyrë për ta forcuar veten shpirtërisht dhe për të krijuar ura mes njerëzve. Jam i bindur se respekti ndërfetar dhe bashkëjetesa janë pasuria më e madhe që mund të kemi në një shoqëri moderne, dhe ky ka qenë gjithmonë një nga mesazhet që kam dashur të përcjell nëpërmjet angazhimeve të mia.